Galatasaray dhe Atletico Madrid ndajnë pikët në Stambollin e ‘nxehtë’

Galatasaray dhe Atletico Madrid ndajnë pikët në Stambollin e ‘nxehtë’

Atletico Madrid u ndal në një barazim 1-1 ndaj Galatasarayt në kuadër të Ligës së Kampionëve, në ndeshjen e zhvilluar në RAMS Park, shkruan Rekordi.net.

Pavarësisht mungesës së spektaklit, skuadra spanjolle zgjati serinë në gjashtë ndeshje radhazi pa humbje në transfertë në të gjitha garat – diçka që nuk i kishte ndodhur që nga janari 2025.

“Atleti” e nisi vrullshëm takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 4-t, kur Giuliano Simeone realizoi me kokë pas krosimit të saktë të Matteo Ruggerit.

Galatasaray u trondit fillimisht, por prania e Victor Osimhenit mbante vendasit gjithmonë kërcënues, ndërsa portieri Jan Oblak për pak sa nuk gaboi rëndë pas një daljeje të pasigurt.

Barazimi erdhi në minutën e 20-të, pas një autogoli të Marcos Llorentes, i cili devijoi në rrjetë topin e dërguar nga Roland Sallai nga krahu i djathtë. Pas këtij momenti, loja u karakterizua nga posedim i gjatë i topit, por me pak raste të pastra shënimi, teksa duelet fizike dhe mesfusha e mbingarkuar e bënë ndeshjen të varfër në raste.

Edhe pjesa e dytë ndoqi të njëjtën rrjedhë, me ritëm të ulët dhe pak tentativa drejt portave. Arbitrimi nuk e konsideroi si penallti rrëzimin e Leroy Sane, ndërsa Alexander Sorloth shpërdoroi një rast të mirë për madrilenët. Galatasaray nuk regjistroi asnjë goditje në portë në 30 minutat e para të fraksionit të dytë.

Rasti më i mirë i ndeshjes erdhi në minutat e fundit, kur portieri Ugurcan Çakir realizoi një pritje spektakolare ndaj goditjes së dënimit të Antoine Griezmannit, duke ruajtur rezultatin e barabartë.

Me këtë barazim, Atletico Madrid mbetet në garë për kualifikim automatik në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve, edhe pse me diferenca minimale.

Ndërkohë, Galatasaray mund të sigurojë një vend në top-24 më vonë sonte, pa qenë nevoja të zbresë sërish në fushë. /Rekordi.net

Share This