
FSK realizon qitje me mortaja 120 mm në poligonin e Bizës në Shqipëri
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar qitje me municion luftarak me mortajën 120 mm, të sistemit Vuran, në poligonin e qitjes në Bizë të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të FSK-së, aktiviteti është zhvilluar në kuadër të avancimit të kapaciteteve operacionale të Mbështetjes Luftarake të Komandës së Forcave Tokësore.
Qitja është realizuar nga bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake, ndërsa aktivitetin e kanë përcjellë Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Mehmet Lladrovci, stafi i tij, Atasheu Ushtarak i FSK-së në Shqipëri dhe përfaqësues të Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Vizita kishte për qëllim vlerësimin e realizimit të qitjes dhe zbatimin e procedurave të planifikimit dhe ekzekutimit të mbështetjes luftarake me zjarr indirekt.
“Gjatë aktivitetit u dëshmua profesionalizmi i pjesëtarëve të RML-së në zbatimin e procedurave të sigurisë dhe përdorimin e mortajës 120 mm të sistemit Vuran”, thuhet në njoftim, raporton rtk.
Me këtë rast, gjeneral brigade Lladrovci falënderoi përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe pjesëtarët e FSK-së për angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve operacionale.

