Festivali Muse-X, Rama: Skena që bashkoi artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë

Festivali Muse-X, Rama: Skena që bashkoi artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë

 Tirana u kthye në epiqendrën e artit dhe kreativitetit me festivalin e Muse-X, një event ndërkombëtar që bashkoi qindra artistë vendas dhe të huaj.

Me energji unike krijuese, aktiviteti Muse-X konfirmoi rolin e tij si një platformë e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe bashkëpunimit artistik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky event, duke e etiketuar si skenën që ka bashkuar artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Edicioni i këtij viti u zhvillua për tri ditë e net rresht, si një nga ngjarjet më të mëdha të industrive kreative në rajon. Muse-X është një platformë e integruar që bashkon ekspozimin profesional, konferencën ndërkombëtare dhe festivalin artistik në një eksperiencë të vetme, gjithëpërfshirëse dhe elektrizuese.

Në këtë platformë të madhe të industrisë kreative, marrin pjesë 22 shtete të cilët do të ofrojnë çdo ditë 15 orë aktivitet, në 120 stenda, të më shumë se 80 kompanive të ndryshme. Nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, në Evropë e deri në Japoni, Tirana kthehet në një qendër globale të kulturës, muzikës dhe filmit, me dhjetëra profesionistë nga industria e muzikës dhe kinematografia, të angazhuar në panele e workshop-e.

Ky edicion mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si një dëshmi e qartë e investimit në industrinë kreative dhe në pozicionimin e Shqipërisë si një destinacion i rëndësishëm kulturor në hartën ndërkombëtare. /atsh/

Share This