
Edi Rama pas protestës: “Pse Kuvendi i Kosovës hesht për shkeljet ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij?”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar fuqishëm pas protestës së sotme në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjykuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Rama u shpreh i habitur dhe kritik ndaj faktit që Kuvendi i Kosovës ende nuk ka miratuar një rezolutë të përbashkët, pa dallime politike, për të denoncuar shkeljet e rënda të procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!” – tha Rama.
Kryeministri shqiptar shtoi se në rast se Kosova do ta miratonte një rezolutë të tillë, Shqipëria do të reagonte menjëherë për ta përkrahur institucionalisht në nivel parlamentar.
“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”, u shpreh ai.
Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur kritikat ndaj proceseve gjyqësore në Hagë janë shtuar, sidomos për shkelje të të drejtave të të akuzuarve dhe zvarritje të pajustifikueshme procedurale.


