
Edhe java e fundit e gushtit me temperatura të larta, sot deri në 34 gradë
Java e fundit e muajit gusht pritet të karakterizohet me mot të nxehtë dhe kryesisht të qëndrueshëm, me intervale të gjata me diell dhe vranësira të herëpashershme.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të jenë mbi vlerat mesatare për këtë periudhë të vitit, ndërsa në disa zona maksimalet mund të arrijnë deri në 35-36 gradë Celsius. Në pjesën e dytë të javës pritet edhe një rritje e lehtë e temperaturave, ndërsa në zonat malore mund të ketë reshje të izoluara.
Për ditën e sotme parashihet mot me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 17 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 29 deri në 34 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 3 metra në sekondë.
Instituti ka bërë thirrje për kujdes ndaj temperaturave të larta, veçanërisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Personave të ndjeshëm u rekomandohet të shmangin qëndrimin e gjatë në diell, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta.Po ashtu, indeksi UV gjatë ditëve me diell pritet të jetë i lartë deri shumë i lartë, ndaj rekomandohet mbrojtja nga rrezatimi diellor, sidomos në intervalin kohor nga ora 10:00 deri në 16:00, raporton rtk.
Temperaturat e larta dhe moti kryesisht i thatë pritet të ndikojnë edhe në sektorin e bujqësisë, duke rritur nevojën për ujitje dhe monitorim të lagështisë së tokës.

