
E konfirmon Maqedonci: Kosova pajiset me sistemet raketore anti-tank OMTAS
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se në Kosovë kanë arritur sistemet raketore anti-tank OMTAS, si pjesë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas Maqedoncit, kjo dërgesë është kontraktuar në dhjetor të vitit 2023 me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Roketsan.
“OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për të neutralizuar mjete të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake”, ka shkruar Maqedonci në një postim në Facebook.
Ai ka theksuar se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për FSK-në synon mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, përshtatjen me terrene të ndryshme dhe përballimin e skenarëve të ndryshëm të kërcënimit.
Sipas tij, kjo do të rrisë ndjeshëm fleksibilitetin operacional dhe gatishmërinë mbrojtëse të FSK-së, në përputhje me standardet bashkëkohore ushtarake dhe objektivat strategjike të Kosovës në fushën e sigurisë.


