
Dyshime për shkelje teknike para Botërorit 2026, FIA nis hetimet
Botërori i Formula 1 për vitin 2026 pritet të shënojë një revolucion të vërtetë teknik, me nisjen e një cikli të ri rregulloresh.
Por ende pa u ndezur motorët, polemikat kanë shpërthyer, duke rikthyer në qendër të vëmendjes praktikën e vjetër të kërkimit të “zonave gri” në rregullore.
Sipas një burimi të “Motorsport Magazin”, dy skuadra të mëdha dyshohet se kanë shfrytëzuar në mënyrë të diskutueshme rregulloren e re teknike, duke “abuzuar” me cilindrat e motorëve të rinj. Bëhet fjalë për Mercedesin dhe Red Bullin, kjo e fundit që nga sezoni 2026 do të prodhojë për herë të parë motorin e saj.
Raportohet se këto dy ekipe kanë gjetur një sistem të veçantë, që u lejon të modifikojnë raportin e kompresionit të motorit. Konkretisht, raporti i kompresionit futet brenda parametrave të lejuar kur “power unit” është i fikur, ndërsa rritet gjatë funksionimit të makinës në pistë. Një praktikë e tillë do t’u jepte atyre një avantazh të rëndësishëm, duke përfituar nga ndryshimi i rregullores, që parashikon kalimin e raportit nga 18:1 në 16:1.
Kjo “hile” e dyshuar është denoncuar pranë FIA-s nga skuadrat rivale Ferrari, Audi dhe Honda, të cilat kanë kërkuar hetim dhe ndërhyrje nga federata ndërkombëtare.
Sipas të njëjtit burim, informacioni mund të ketë rrjedhur nga një ish-punonjës i Mercedesit ose Red Bullit, i cili pas transferimit në një skuadër tjetër ka identifikuar detaje të sistemit të dyshuar. Tashmë çështja ndodhet në duart e FIA-s, e cila ka nisur hetimet për të verifikuar nëse bëhet fjalë për shkelje të rregullores apo thjesht për shfrytëzim të “zonave gri” të saj.
Vendimi i federatës pritet me interes të madh, pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në balancat e Botërorit 2026 të Formula 1.


