Dy superharkime të Zhegrovës, Juve barazon me Romën

Dy superharkime të Zhegrovës, Juve barazon me Romën

Edon Zhegrova ishte protagonist në barazimin dramatik të Juventus 3-3 në udhëtim ndaj AS Roma, duke dhënë kontribut vendimtar pas inkuadrimit nga banka rezervë.

Roma e nisi më mirë takimin dhe rrezikoi herët me Lorenzo Pellegrini, tentativa e të cilit u ndal nga shtylla. Epërsia për vendasit erdhi në minutën e 39-të, kur Wesley França realizoi një supergol për 1-0.

Në fillim të pjesës së dytë, Juventusi reagoi me golin e Francisco Conceiçao (47’), por Roma riktheu avantazhin shpejt me golin e Evan Ndicka pas asistimit të Pellegrinit (54’). Dominimi i vendasve vazhdoi dhe Donyell Malen shënoi për 3-1 në minutën e 65-të, duke e vënë Juventusin në pozitë të vështirë.

Megjithatë, hyrja në fushë e Zhegrovës ndryshoi dinamikën e lojës. Në minutën e 78-të, ai harkoi saktë në zonë dhe nga një top i kthyer, Boga realizoi për 3-2, duke rikthyer shpresat për “Zonjën e Vjetër”.

Në kohën shtesë, ishte sërish Zhegrova protagonist me një tjetër asistim, këtë herë për Federico Gatti, i cili shënoi për 3-3 (90+3’), duke siguruar një pikë të çmuar për Juventusin.

Pas këtij barazimi, Roma mban pozitën e katërt me 51 pikë, ndërsa Juventusi renditet i gjashti me 47 pikë në tabelën e Serie A.

 

 

Share This