Dua Lipa merr shtetësinë e Republikës së Kosovës me dekret presidencial

Dua Lipa merr shtetësinë e Republikës së Kosovës me dekret presidencial

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot se me dekret presidencial i ka dhënë shtetësinë kosovare këngëtares me famë botërore Dua Lipa.

Vendimi vjen në prag të festivalit të madh muzikor “Sunny Hill”, ku Osmani zhvilloi edhe një takim të veçantë me këngëtaren, duke e përshkruar atë si një ambasadore të jashtëzakonshme të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit,” u shpreh presidentja Osmani në një postim zyrtar.

Presidentja falënderoi Duan për kontributin e saj të madh në promovimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës, për mbështetjen ndaj artit dhe rinisë kosovare, si dhe për rolin e saj si një figurë që mbjell krenari tek çdo qytetar i vendit.

“Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën. Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty,” përfundoi Osmani.

Dua Lipa, e lindur në Londër nga prindër kosovarë, ka qenë vazhdimisht aktive në mbështetjen e vendlindjes së saj, si përmes artit ashtu edhe përmes projekteve kulturore si festivali “Sunny Hill”, që tashmë është bërë një simbol i bashkimit të artit, muzikës dhe krenarisë kombëtare në Prishtinë.

Share This