Dorëheqje në qeverinë ukrainase, korrupsioni përfshin aleatë të afërt të Zelenskyt

Dorëheqje në qeverinë ukrainase, korrupsioni përfshin aleatë të afërt të Zelenskyt

Ministrja e Energjisë e Ukrainës, Svitlana Hrynchuk, dhe Ministri i Drejtësisë, Herman Halushchenko, kanë dhënë dorëheqje pas hetimeve për një skandal të madh korrupsioni në sektorin energjetik, i cili ka përfshirë nivele të larta të qeverisë ukrainase.

Presidenti Volodymyr Zelensky kishte kërkuar më herët largimin e tyre, ndërsa Kryeministrja Yulia Sviridenko i dorëzoi Parlamentit kërkesën për shkarkimin.

Dorëheqjet vijnë pas akuzave për një skemë përvetësimi fondesh në kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom, ku autoritetet pretendojnë se janë përfshirë zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të afërt me pushtetin.

Sipas Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Prokurorisë së Specializuar, hetimi i zhvilluar për 15 muaj ka zbuluar një rrjet pagesash të paligjshme dhe pastrim fondesh me vlerë rreth 100 milionë dollarë. Një pjesë e parave dyshohet se është transferuar jashtë vendit, përfshirë edhe në Rusi.

Mes të implikuarve përmenden ish-zv.kryeministri Oleksiy Chernyshov dhe biznesmeni Timur Mindich, bashkëpronar i ish-studios televizive të Zelenskyt, Kvartal95, i cili raportohet se është larguar nga Ukraina.

Halushchenko ka deklaruar se do të kundërshtojë akuzat, ndërsa Hrynchuk ka mohuar çdo shkelje ligjore. Skandali shpërthen në një moment kritik, kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke e bërë situatën edhe më të ndjeshme për qeverinë në Kiev. /rtsh/

Share This