Politikani rus kundër luftës dënohet me 11 vjet burg

Politikani rus kundër luftës dënohet me 11 vjet burg

Politikani i njohur rus kundër luftës, Lev Shlosberg, është dënuar me 11 vjet e një muaj burg në një koloni penale për “diskreditimin” e forcave të armatosura ruse dhe “përhapjen e informacionit të rremë” për to, raporton BBC.

Shlosberg, 63 vjeç, e dënoi vendimin e gjykatës në qytetin Pskov, duke thënë se qëllimi i tij ishte “të dënonte një person për qëndrimin e tij politik, publik dhe qytetar”.

Partia e tij liberale Yabloko, ku Shlosberg është nënkryetar, tha se do ta apelojë vendimin.

Vendimi u dha vetëm pak minuta para se Gjykata Supreme e Rusisë të refuzonte ankesën e Yablokos kundër ndalimit të pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

Yabloko ishte e vetmja parti e regjistruar që kundërshtoi pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Prokuroria kishte kërkuar 12 vjet e një muaj burg për Shlosbergun. Akuzat penale ndaj tij u ngritën pas komenteve të publikuara në rrjetet sociale.

Në fjalën përfundimtare, Shlosberg i hodhi poshtë sërish të gjitha akuzat dhe e cilësoi procesin gjyqësor si një “imitim të hetimit”, ndërsa përsëriti thirrjen për armëpushim në luftën Rusi-Ukrainë dhe nisjen e një dialogu politik.

Sipas BBC-së, që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, opozita ndaj presidentit Vladimir Putin në Rusi është goditur rëndë. Shfaqjet publike të kundërshtimit janë shtypur përmes ligjeve të censurës së kohës së luftës, të cilat mund të sjellin gjoba të mëdha ose dënime të gjata me burg, transmeton rtk.

Yabloko u përjashtua nga fletëvotimet në fillim të këtij muaji pas akuzave se partia mbështet “lëvizjen ndërkombëtare LGBT”, të cilën Gjykata Supreme e Rusisë e ka shpallur ekstremiste. Partia i ka mohuar akuzat.

Zgjedhjet parlamentare në Rusi do të mbahen më 18-20 shtator.

Share This