Dopieta e Hojlund fundos Juventusin, Rrahmani titullar i padiskutueshëm, Zhegrova luan dhjetë minuta

Dopieta e Hojlund fundos Juventusin, Rrahmani titullar i padiskutueshëm, Zhegrova luan dhjetë minuta

Napoli është rikthyer në majën e Serie A pas fitores 2-1 ndaj Juventusit në “Diego Armando Maradona”, me Rasmus Hojlund protagonist absolut falë dy golave të tij. Kjo humbje shënon të parën për Luciano Spallettin si trajner i Juventusit.

Sfida nisi vrullshëm nga vendasit. Vetëm pas gjashtë minutave lojë, David Neres harkoi saktë për Scott McTominay, i cili rrezikoi me kokë. Juventus nuk reagoi dhe Napoli e shfrytëzoi menjëherë momentin: Neres depërtoi nga e djathta dhe asistoi Højlundin, që shënoi nga afërsia për 1-0.

Juventusi pati më shumë zotërim topi pas golit, por pa krijuar raste të qarta. Nga ana tjetër, Napoli iu afrua golit të dytë me një goditje me kokë të Di Lorenzos, që u prit nga Di Gregorio. Pjesa e parë u mbyll me shumë intensitet, por pa gola të tjerë, me McTominay që humbi edhe një tjetër mundësi të mirë.

Në pjesën e dytë, Hojlund ishte sërish i rrezikshëm, por goditjen e tij e ndali portieri mysafir. Juventus barazoi në minutën e 59-të me Kenan Yıldız, i cili kombinoi bukur me McKennie dhe shënoi nga një kënd i vështirë.

Megjithatë, Napoli riktheu epërsinë në minutën e 78-të. Një harkim i Neres u devijua nga McKennie, me topin që i ra idealisht Højlundit, i cili shënoi me kokë për 2-1, duke vulosur fitoren e kampionëve.

Napoli mbrojti me sukses epërsinë deri në fund, duke e mbyllur vitin pa humbje në shtëpi.

Ndërkohë, Juventusi vazhdon krizën në transferta, me vetëm një fitore jashtë fushe këtë sezon dhe tashmë mbetet tetë pikë larg liderit të ri të Serie A.

Në radhët Napolit titullar ishte mbrojtësi kosovar Amir Rrahmani, kurse, Edon Zhegrova për Juvën u angazhuar në minutën e 81-të.

Share This