
Dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në Hagë, nis mbrojtja e Rexhep Selimit
Në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë, zhvillohet dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Këtë të premte (13 shkurt) ka filluar seanca me deklaratat e mbrojtjes së Rexhep Selimit, ditën e djeshme mbrojtja e Kadri Veselit bëri deklaratën përmbyllëse. Rodney Dixon, avokati i Veselit, kërkoi mosshtrembërim të drejtësisë, ndërsa theksoi se provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër Veselit ishin të dobëta dhe të pabaza. Dixon gjithashtu argumentoi se dëshmitarë të palës akuzuese kanë gënjyer nën betim.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilët janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria ka kërkuar në total 180 vite burg, nga 45 vite për secilin prej tyre.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit, raporton RTSH.


