
Demhasaj: Qeveria në detyrë po përdor pagën minimale për fushatë zgjedhore
Qeveria në detyrë e Vetëvendosjes, e cila sipas vendimit të Gjykatës Supreme është pa mandat dhe pa kapacitet vendimmarrës, po akuzohet se po përdor çështjen e pagës minimale për qëllime elektorale.
Së fundmi, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka nisur procesin për rritjen e pagës minimale në 500 euro, ndonëse një vit më parë e kishte kundërshtuar këtë ide duke thënë se “formula nuk e lejon”.
Ky veprim është kritikuar ashpër nga Arton Demhasaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili e ka cilësuar këtë nismë si “blerje vote” dhe “hipokrizi politike”.
“Katër vjet në pushtet, e nuk pranonin me rrit pagën minimale në 500 euro — sepse ‘formula’ s’e lejonte! E tash, si qeveri në detyrë, si qeveri e kundërligjshme, propozojnë pagën minimale 500 euro! Ku mbeti ajo ‘formula’ tash?!
Blerja e votës ka emër! Hipokrizia ka emër!” – ka shkruar Demhasaj në një reagim publik.
Kritikat ndaj Qeverisë në detyrë janë shtuar pas takimeve të fundit mes ministrit Murati dhe përfaqësuesve sindikalë, ku u përmend mundësia që paga minimale prej 500 eurosh të fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm, pavarësisht bllokimit institucional në vend.

