
Deliu i reagon Konjufcës: Një gjuhë për televizion, tjetër për qytetarët
Kandidatja për deputete, Blerta Deliu, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili gjatë një tubimi në Ferizaj ka thënë se do t’i “bëjmë tokë të zezë” partitë e tjera.
Përmes një reagimi publik, Deliu ka rikujtuar paraqitjen e Konjufcës në një intervistë të fundit në emisionin “Pressing” në televizionin T7, ku sipas saj, ai ishte shfaqur me ton më të butë dhe me qasje reflektuese.
Sipas Deliut, kontrasti mes deklaratave publike dhe atyre në tubime elektorale dëshmon, siç ka thënë ajo, fytyrën e vërtetë të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Glauk Konjufca para pak ditësh në ‘Pressing’ doli me ton të butë, me fjalë për reflektim dhe me qasje të re politike. Sot, i paska thënë një qytetari se ‘kemi me i bë tokë të zezë’. Kjo është fytyra e vërtetë e pushtetit të VV-së: një gjuhë për televizion, një tjetër për qytetarët. Këta nuk kanë reflektuar, vetëm kanë ndryshuar skenën”, ka shkruar Deliu.


