Dardanet në mars sfidojnë Finlandën në duelet vendimtare për Euro 2026
Kombëtarja e Kosovës në hendboll (femrat) në muajin mars luan ndeshjet vendimtare të fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026.
Federata e Hendbollit të Kosovës, ka bërë të ditur se tashmë janë përcaktuar terminet dhe vendet e zhvillimit të dy përballjeve ndaj Finlandës, të cilat pritet të jenë vendimtare për fatin kualifikues të Kosovës.
“Ndeshja e parë luhet më 5 mars, nga ora 17:30, në Vantaa të Finlandës, në arenën “Vantaa Energia Areena”, që gjendet në afërsi të Helsinkit. Në këtë përballje, hendbollistet e Kosovës do të kenë nevojë për përkrahjen e bashkatdhetarëve të shumtë që jetojnë në Finlandë. Takimi i dytë ndaj Finlandës zhvillohet më 8 mars, nga ora 17:15, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku pritet një atmosferë e zjarrtë nga tifozët vendas”, thuhet në njoftimin e FHK-së.
Kosova bën pjesë në Grupin 1 së bashku me Francën dhe Kroacinë. Derisa Franca dhe Kroacia konsiderohen favorite për pozitat e para të grupit, Kosova dhe Finlanda janë në garë direkte për vendin e tretë, i cili po ashtu mund të sigurojë kualifikimin në Kampionatin Evropian 2026.
Çdo gjë pritet të vendoset pikërisht në ndeshjet e muajit mars, ndërsa ky cikël eliminator ka nisur në tetor, me zhvillimin e dy xhirove të para.


