
Daniele De Rossi afër Genoas
Genoa është shumë pranë zyrtarizimit të Daniele De Rossit si trajner të ri të skuadrës.
Ish-mesfushori i Italisë dhe i Romës pritet të marrë drejtimin e ekipit menjëherë dhe të debutojë në pankinë të dielën ndaj Fiorentinës në ndeshjen e radhës të Serie A.
Sipas burimeve pranë klubit, De Rossi do të nënshkruajë kontratë deri në fund të këtij sezoni, me opsion rinovimi automatik në rast se Genoa siguron mbijetesën në elitën e futbollit italian.
Drejtuesit e Genoas kanë vendosur të mos presin më gjatë për zyrtarizimin, pasi ekzistonte rreziku që De Rossi të merrte oferta të tjera në ditët e ardhshme.
Përveç tij, klubi kishte zhvilluar bisedime edhe me Paolo Vanolin, pas shkarkimit të Patrick Vieira-s javën e kaluar, por në fund vendimi përfundimtar ishte që drejtimin t’ia besojnë ish-kapitenit të Romës.
Në ndeshjen e fundit, Genoa u drejtua përkohësisht nga Roberto Murgita dhe Domenico Criscito, të cilët arritën të udhëheqin ekipin drejt fitores së parë të sezonit, duke mposhtur Sassuolon në udhëtim me rezultatin 2-1.
Zyrtarizimi i De Rossit pritet të bëhet brenda orëve në vijim, duke hapur një kapitull të ri për Genoan në këtë sezon të Serie A.


