Çitaku: Qeveria Kurti nuk ka qenë pa afera korruptive, disa ministra nën aktakuzë

Çitaku: Qeveria Kurti nuk ka qenë pa afera korruptive, disa ministra nën aktakuzë

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se Qeveria e tij ka qenë shembull dhe pa afera korruptive.

Përmes një postimi publik, Çitaku i ka cilësuar këto deklarata si të pavërteta, duke theksuar se disa ministra të Qeverisë Kurti janë nën aktakuzë dhe se, sipas saj, vendi është përfshirë nga afera multimilionëshe.

“Afera nga rezervat shtetërore, deri te tregtia e energjisë. Qindra miliona euro të dhëna në kontrata pa tender”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka akuzuar Qeverinë edhe për dështime në ekonomi dhe energji, duke shtuar se vendi ndodhet “në terr”.

Në reagimin e saj, Çitaku ka kritikuar gjithashtu refuzimin e kryeministrit Kurti për t’iu përgjigjur thirrjes së Prokurorisë, duke thënë se një veprim i tillë nuk përfaqëson shembull apo përgjegjësi institucionale.

“Kjo nuk është shembull. Kjo nuk është përgjegjësi. Gënjeshtra pa kripë”, ka përfunduar Çitaku.

Deklarata e saj vjen pas pretendimeve të kryeministrit Kurti se qeverisja e tij ka qenë e pastër dhe pa afera korruptive.

Share This