
Shpenzimet qeveritare para zgjedhjeve nxisin debat për blerje votash
Njëzet e gjashtë milionë euro për studentë, një milion për pako ushqimore për familjet në nevojë, subvencionim i faturave të energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta…
Këto vendime të Qeverisë në detyrë të Kosovës më 7 tetor u cilësuan nga kundërshtarë politikë e përfaqësues të shoqërisë civile si fushatë elektorale.
Për kë? Për kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), partisë në pushtet, që synojnë të fitojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Nuk është e qartë se kur do të shpërndahen këto mjete dhe mbi çfarë kriteresh. Unë besoj se është vetëm për ta krijuar një narrativ që do të shfrytëzohet për zgjedhjet”, thotë Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim, për Radion Evropa e Lirë.
Ai dyshon se shpërndarja e këtyre mjeteve, në mënyrë specifike për studentë, do të përkojë me rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku Cakolli pret që në garë të jenë shumë kandidatë të LV-së.
“Kjo u ofron mundësinë kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ta kenë si aset shtesë në zgjedhje temën e ndarjes së këtyre mjeteve, duke e shfaqur këtu idenë e përkrahjes që do ta kenë nga niveli qendror”, shton Cakolli.
Fushata elektorale për zgjedhjet lokale ka filluar më 12 shtator. Që atëherë, Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar edhe një tjetër mbledhje, ku janë marrë vendime për fillim e finalizim të proceseve të shpronësimeve dhe janë ndarë edhe tre milionë euro për rehabilitimin e rrugëve rajonale.
Akuzat e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, se vendimet e tilla po bëhen “për të blerë vota” për kandidatët e LV-së, janë kundërshtuar nga kjo parti.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, theksoi disa herë se vendime të ngjashme janë marrë edhe në vitet paraprake, kur s’ka pasur fushatë elektorale, dhe se disa kanë qenë premtime të kamotshme.
Por, për vrojtues të fushatës elektorale, problemi nuk qëndron vetëm te vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës.
Më 7 tetor, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kuti, mori pjesë në përurimin e rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra të Fushë Kosovës.
Në komunikatën zyrtare për këtë aktivitet u tha se ai u shoqërua nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Arsim Fetahu.
Të gjithë këta përfaqësojnë institucione që bashkëpunuan në këtë projekt.
Por, aty ishte i pranishëm edhe kandidati i LV-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza.
Lidhur me këtë aktivitet, ai postoi katër herë në llogarinë e tij në Facebook, duke shkruar se “ndryshimi historik po fillon” dhe duke kërkuar votat e qytetarëve atje. /REL/


