
Çitaku: Qasja e VV rrezik për demokracinë, synojnë delegjitimimin e institucioneve
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas akuzave dhe sulmeve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Në një postim në Facebook, Çitaku ka thënë se qasja e VV-së është rrezik për demokracinë dhe ka për qëllim “delegjitimimin e çdo institucioni dhe vetë demokracisë”.
“Tendencat e LVV-së për të përmbysur rendin kushtetues nuk po ndalen. Reagimi i tyre i sotëm e dëshmon qartë këtë. Filluan me sulme denigruese e personale ndaj gjyqtarëve një nga një, e vazhduan me komunikatë zyrtare.
Kjo qasje është rrezik për demokracinë dhe për gjithçka që është ndërtuar në këtë vend me shumë sakrificë e mund.
Qëllimi i tyre tashmë është i qartë: delegjitimimi i çdo institucioni dhe i vetë demokracisë. Por kjo mendësi nuk do të kalojë. Nuk do ta lejojmë”, ka shkruar Çitaku.


