
Çitaku i drejtohet Haxhiut: “Lista Serbe nuk ka si të na shantazhojë, ju keni lidhur paktet e turpit”
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj nënkryetares së parë të Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke theksuar se Lista Serbe nuk mund ta shantazhojë partinë e saj, pasi, siç thotë ajo, kurrë nuk kanë bërë marrëveshje të fshehta me këtë subjekt politik.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se qëndrimi i tyre është parimor dhe në mbrojtje të rendit kushtetues.
“Albulenë, Lista Serbe nuk ka si të na shantazhojë, sepse ne nuk kemi bërë kurrë marrëveshje të fshehta e të ndyra me ta, as kundër veteranëve, as pazare të dështuara për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, shkroi Çitaku.
Ajo shtoi se Haxhiu dhe partia e saj kanë qenë ata që kanë lidhur “paktet e turpit” dhe kanë rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.
“Qëndrimi ynë është parimor, në mbrojtje të rendit kushtetues, të cilin ju e sfidoni pa fund. Ju mund të provoni ta relativizoni të vërtetën, por nuk mund ta fshini. Jeni ju që keni lidhur paktet e turpit dhe keni rrënuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Në mungesë të shumicës për të ndërtuar qeverinë, po bëni taktizime fëminore”, përfundoi Çitaku.


