
Chivu pas barazimit me Napolin: Rezultat i drejtë, kishim përballë një ekip të fortë
Interi nuk fiton kundër Juventusit, Milanit dhe Napolit që nga derbi i yllit të dytë (14 ndeshje) dhe pas barazimit me Napolin në “San Siro”, pyetja e parë për trajnerin Cristian Chivu ishte pikërisht për vështirësitë e zikaltërve në sfidat direkt:
“E shpjegoi mirë Ferrara, që tha se ka rëndësi të fitosh gjithë ndeshjet e tjera. Unë po flas për ndeshjen dhe dy skuadra të forta. Ka keqardhje, por nuk është kurrë e lehtë kundër një skuadre të fortë që të vë në vështirësi. Mungoi kthjelltësia për të shkuar deri në fund, por ka edhe kundërshtarë të fortë”, – tha Chivu.
“Më pëlqeu qasja e ekipit, dëshira për të shkuar gjithmonë përpara, edhe pse ndonjëherë e ekzagjeruar, – vazhdoi trajneri rumun. – Ata u treguan të zotët për të gjetur gjithmonë Hojlund. Provuam me të gjitha mënyrat për të fituar ndeshjen. E dinim forcën e Napolit. Mëkat, na lë një shije të hidhur, por pamë dy skuadra të forta që e kanë ngritur nivelin e Serie A. Do të jetë betejë për çdo pikë deri në fund, janë 4-5 skuadra, nuk e di as sa pikë diferencë kemi”.
Barazim i drejtë? “Ishim një skuadër e gjatë, ata luanin mirë me topin me McTominay dhe Lobotka. Këtu gabuam. Lojtarët bënë gjithë kohën presion. Rregulluam diçka më pas, u mbyll në barazim dhe mendoj se ishte rezultat i drejtë për atë që u pa në fushë”, – komentoi Chivu.


