
Çfarë Romë? Përmbys Atalantën dhe rikthehet në krye të Serie A
Roma ka arritur një fitore dramatike 2-1 ndaj Atalantës në “Stadio Olimpico”, duke përmbysur rezultatin me dy gola të shënuar në minutat e fundit.
Me këtë triumf, skuadra kryeqytetase është rikthyer në krye të tabelës së Serie A, ndërsa i ka dhënë fund edhe një serie prej nëntë ndeshjesh pa fitore ndaj Atalantës në përballjet direkte.
Roma e nisi ndeshjen më mirë dhe dominoi pjesën e parë. Gianluca Mancini dhe Bryan Cristante rrezikuan portën kundërshtare me goditje me kokë, por portieri Marco Carnesecchi ishte në nivel të lartë dhe ndaloi tentativat e vendasve.
Edhe Evan Ndicka arriti ta dërgonte topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Roma vazhdoi presionin, ndërsa Atalanta u përpoq të mbrohej dhe të godiste në kundërsulm. Megjithatë, pjesa e parë u mbyll pa gola, falë edhe pritjeve të rëndësishme të Carnesecchit.
Në fillim të pjesës së dytë, Atalanta befasoi vendasit. Éderson përfitoi pas një aksioni të nisur nga Charles De Ketelaere dhe me një goditje të fuqishme mposhti Mile Svilarin për 0-1.
Roma reagoi menjëherë dhe nisi një ofensivë të vazhdueshme në kërkim të barazimit. Matías Soulé rrezikoi me volej, ndërsa Santiago Castro goditi shtyllën.
Presioni i madh i vendasve më në fund u shpërblye në minutën e 90-të. Mario Hermoso shfrytëzoi krosimin nga këndi të Soulé dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1-1.
Roma nuk u ndal dhe kërkoi edhe golin e fitores. Ai erdhi në minutën e tretë të kohës shtesë, kur Paulo Dybala dha një pasim të shkëlqyer për Soulé, i cili goditi nga ana e djathtë e zonës dhe mposhti Carnesecchin në shtyllën e afërt.
Kështu, Roma përmbysi gjithçka në fund dhe siguroi një fitore të madhe 2-1, duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e Serie A.
Për Gian Piero Gasperinin, kjo ishte gjithashtu fitorja e parë ndaj ish-klubit të tij, Atalantës. /Rekordi.net

