Ceremoni spektakulare në hapje të Botërorit 2026

Ceremoni spektakulare në hapje të Botërorit 2026

Më shumë skuadra, më shumë ndeshje, më shumë tifozë dhe më shumë spektakël.

Kupa e Botës 2026 premton të jetë edicioni më madhështor në historinë e futbollit dhe nisja e saj do ta konfirmojë këtë që në ditën e parë.

Për herë të parë në histori, turneu do të organizohet nga tri shtete – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanadaja – të cilat do të kenë secila ceremoninë e vet hapëse, duke i dhënë garës një dimension krejtësisht të ri.

FIFA ka paralajmëruar një hapje spektakolare të turneut, me ceremoninë e parë që do të zhvillohet në Mexico City para ndeshjes hapëse të Kupës së Botës. Megjithatë, festa nuk do të përfundojë aty, pasi brenda 30 orëve të ardhshme do të organizohen edhe dy ceremoni të tjera në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

Në Meksikë, atmosfera do të ndizet nga emra të njohur të muzikës botërore. J Balvin, Shakira dhe Burna Boy do të jenë protagonistët kryesorë të ceremonisë, ndërsa Shakira dhe Burna Boy janë gjithashtu pjesë e kolonës zanore të këtij Botërori.

Kanadaja ka zgjedhur një koncept unik për ceremoninë e saj, të quajtur “Mosaic”. Para ndeshjes mes Kanadasë dhe Bosnje-Hercegovinës, stadiumi do të shndërrohet në një mozaik gjigant që simbolizon identitetin multikulturor të vendit. Në këtë event do të performojnë artistë të njohur ndërkombëtarë si Michael Bublé dhe Alessia Cara.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara ceremonia do të zhvillohet në Los Angeles para përballjes mes SHBA-së dhe Paraguajit. Në skenë do të ngjiten Katy Perry, Future dhe Anitta, në një shfaqje që do të fokusohet te identiteti, ambicia dhe energjia krijuese – vlera që organizatorët i lidhin me trofeun më të lakmuar të futbollit botëror.

Me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe një format të zgjeruar, Botërori 2026 pritet të vendosë standarde të reja si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ. Dhe para se topi të nisë të rrotullohet në fushë, bota do të shijojë një spektakël muzikor dhe kulturor që synon të pasqyrojë diversitetin dhe madhështinë e turneut më të rëndësishëm të futbollit.

Share This