
Çeki-Kosovë, kështu mbyllet miqësorja në Pragë
Kombëtarja e Kosovës është mposhtur në udhëtim nga Çekia me rezultat 2-1, në miqësoren e zhvilluar të dielën pasdite në Pragë.
Skuadra vendase e nisi më mirë takimin, duke krijuar epërsi të hershme në pjesën e parë. Ladra (12’) hapi rezultatin për 1-0, ndërsa Hlozek (32’) dyfishoi avantazhin për Çekinë, që dominoi fraksionin e parë të lojës.
Në pjesën e dytë, Kosova u paraqit më organizuar dhe rriti presionin në drejtim të portës kundërshtare, duke kërkuar rikthimin në rezultat. Përpjekjet u konkretizuan në minutën e 81-të, kur Emerllahu ngushtoi shifrat në 2-1.
Pavarësisht rasteve në fund të ndeshjes, “Dardanët” nuk arritën të barazonin rezultatin, duke e mbyllur sfidën me disfatë minimale.
Pas kësaj miqësoreje, Kosova do të rikthehet në fushë më 7 qershor, kur në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballet me Andorrën në një tjetër ndeshje miqësore.

