Carrick nis me fitore, Man United triumfon në derbin ndaj Man City-t

Carrick nis me fitore, Man United triumfon në derbin ndaj Man City-t

Michael Carrick në mënyrën më të mirë të e ka nisur aventurën në krye të Manchester United-it, shkruan Rekordi.net.

‘Djajtë e Kuq’ triumfuan me rezultat 2-0, në derbin ndaj Man City-t, sfidë kjo e luajtur në ‘Old Trafford’.

Kjo ishte vetëm fitorja e dytë e Man Uniteditnë tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, por performanca ndaj Cityt dha sinjale pozitive për vazhdimësinë.

Atmosfera në stadium ishte elektrizuese që para fillimit të takimit dhe lojtarët vendas e reflektuan këtë me intensitet dhe agresivitet që në minutat e para.

United ishte pranë golit që në minutën e tretë, kur goditja me kokë e Harry Maguire pas krosimit të Bruno Fernandes u ndal nga shtylla. Raste të tjera pasuan gjatë pjesës së parë, ndërsa portieri i Cityt, Gianluigi Donnarumma, u detyrua të ndërhyjë disa herë vendimtare. Amad Diallo dhe Bruno Fernandes e dërguan topin në rrjetë, por të dy golat u anuluan për pozicion jashtë loje.

Në anën tjetër, City dominoi posedimin e topit, por pa krijuar rrezik serioz, përveç një goditjeje me kokë nga Max Alleyne që u ndal nga portieri Senne Lammens.

Pjesa e dytë nisi më e qetë, por ritmi u rrit rreth orës së lojës. Donnarumma vazhdoi të ishte lojtari më i spikatur për Cityn, duke ndalur goditje të rrezikshme nga Amad, Casemiro dhe Bryan Mbeumo.

Megjithatë, rezistenca e tij u thye në minutën e 65-të, kur United shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë. Fernandes avancoi me topin dhe asistoi për Mbeumon, i cili shënoi me një goditje të saktë në cepin e portës.

City tentoi të reagojë, por loja e tyre ishte e ngadaltë dhe Erling Haaland mbeti jashtë ndikimit. United vazhdoi të ishte skuadra më kërkuese dhe e dyfishoi epërsinë në minutën e 76-të, kur Patrick Dorgu realizoi pas krosimit të Matheus Cunhas, me topin që përfundoi në rrjetë pas prekjes së shtyllës.

Rezultati mund të ishte edhe më i thellë, pasi një tjetër gol i United u anulua në minutat shtesë për pozicion jashtë loje. Megjithatë, fitorja 2-0 u konfirmua dhe Manchester United ngjitet përkohësisht në top katërshen e Premier League.

Në anën tjetër, Manchester City pëson një tjetër goditje në garën për titull, duke i dhënë liderit Arsenal mundësinë të shkëputet në nëntë pikë në krye të tabelës. /Rekordi.net

Share This