Ballkani ndalet nga Ferizaj në Suharekë

Ballkani ndalet nga Ferizaj në Suharekë

Ballkani dhe Ferizaj kanë ndarë pikët në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 12-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke luajtur baras 1-1 në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Therandasit nuk arritën të shfrytëzojnë terrenin vendas për të siguruar tri pikë të rëndësishme dhe për ta barazuar Prishtinën në krye të tabelës, pasi u ndalën nga një Ferizaj i organizuar dhe luftarak.

Pjesa e parë foli për vendasit, të cilët krijuan më shumë raste dhe arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 16-të me golin e Walid Hamidit, që dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Në pjesën e dytë, loja u bë më e barabartë dhe të dyja skuadrat patën raste për shënim, por gol e gjetën vetëm mysafirët. Betim Haxhimusa barazoi rezultatin në minutën e 48-të, duke vulosur shifrat përfundimtare 1-1.

Ky rezultat i lë të dyja skuadrat me nga një pikë: Ballkani mban pozitën e dytë me 23 pikë, ndërsa Ferizaj renditet i shtati me 14 pikë.

Në xhiron e ardhshme, Ballkani do të udhëtojë në Skenderaj për t’u përballur me Drenicën, kurse Ferizaj do të jetë vendas kundër Dukagjinit.

Share This