Bora zbardh zonat malore të Kosovës, apelohet për kujdes të shtuar në trafik

Bora zbardh zonat malore të Kosovës, apelohet për kujdes të shtuar në trafik

Reshjet e para të borës kanë përfshirë disa nga zonat malore të Kosovës, përfshirë Prevallën dhe Bjeshkët e Rugovës, duke paralajmëruar ardhjen e kushteve dimërore.

Me këtë rast, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë apel të gjithë shoferëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, sidomos në rrugët ku temperaturat e ulëta mund të shkaktojnë ngrica dhe rrëshqitje.

Ministria ka njoftuar se ekipet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve janë të angazhuara në terren gjatë gjithë kohës, 24 orë në ditë, për të intervenuar me pastrimin e borës dhe trajtimin e sipërfaqeve të ngrira, në varësi të gjendjes së rrugëve.

Ndërkohë, rikujtohet se pajisjet dimërore janë të obligueshme për të gjitha automjetet nga 15 nëntori deri më 15 mars.

Drejtuesve të automjeteve u rekomandohet të kontrollojnë gjendjen e gomave para udhëtimit, të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe rrugore, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin frenimet e papritura.

Share This