
NATO në alarm për raportet mbi satelitin bërthamor rus, Rutte: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit tonë, edhe në hapësirë!
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar lidhur me raportimet se Rusia po përgatitet të lëshojë në hapësirë një satelit të armatosur me kapacitete bërthamore, duke deklaruar se Aleanca po vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë dhe kapacitetet e saj mbrojtëse. (Foto: Reuters)
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz, të mbajtur të hënën në Berlin, Rutte theksoi se NATO do të garantojë mbrojtjen e çdo centimetri të territorit të vendeve anëtare, duke përfshirë edhe hapësirën.
“Mund t’ju siguroj se ne gjithmonë do të sigurohemi që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Dhe kjo përfshin edhe sigurimin që jemi të sigurt kur bëhet fjalë për elementin hapësinor”, tha Rutte.
Rutte bëri të ditur se NATO disponon një sërë opsionesh për reagim ndaj kërcënimeve, edhe pse jo të gjitha masat dhe kapacitetet e saj janë të dukshme për publikun.
“Ne shohim situata në Poloni dhe Estoni, e kështu me radhë. Kur bëhet fjalë për fushën ushtarake, ne gjithmonë do të bëjmë vlerësime të parandalimit dhe mbrojtjes sonë dhe do të bëjmë përditësime kur është e nevojshme”, u shpreh ai.
Deklaratat e Rutte-s vijnë në një kohë kur NATO po monitoron me vëmendje zhvillimet në krahun lindor të Aleancës, veçanërisht pas incidenteve dhe tensioneve të raportuara në Poloni dhe Estoni. /rtsh/

