
Arrestimi i “El Chapo Isidro” zhyt Sinaloan në kaos, 11 të vrarë në Meksikë
Të paktën 11 persona janë vrarë në shtetin në Sinaloa të Meksikës, pas arrestimit të një prej figurave më të kërkuara të trafikut të drogës, Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “El Chapo Isidro”.
Meza Flores, i cilësuar nga autoritetet meksikane si lider i organizatës kriminale Beltrán Leyva, ishte gjithashtu në listën e 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja amerikane.
Ai kërkohej për trafik droge drejt Shteteve të Bashkuara dhe për shkelje të ligjeve që lidhen me armët e zjarrit.
Arrestimi u krye gjatë natës në shtetin e Sinaloas nga forcat elitare të ushtrisë meksikane. Sipas autoriteteve, operacioni u zhvillua me “fshehtësi dhe befasi”, ndërsa rreth zonës ku ndodhej i dyshuari u ngrit një perimetër sigurie.

Megjithatë, menjëherë pas operacionit shpërtheu një valë dhune që tronditi qytetin e Guasaves. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, shtatë persona të dyshuar si anëtarë të kartelit dhe katër ushtarë meksikanë humbën jetën gjatë përleshjeve.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale treguan civilë që largoheshin me panik nga një stadium bejsbolli, ndërsa në zona të ndryshme dëgjoheshin të shtëna armësh. Gjithashtu u raportuan automjete dhe pika karburanti të përfshira nga flakët, ndërsa helikopterë ushtarakë patrullonin mbi zonën e operacionit.
Sipas qeverisë meksikane, informacione të inteligjencës të siguruara nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump ndihmuan në lokalizimin dhe arrestimin e Meza Flores.
Autoritetet thanë se gjatë operacionit forcat e sigurisë u sulmuan me armë zjarri dhe eksplozivë nga persona të armatosur të lidhur me kartelin. Pavarësisht rezistencës, ushtarët arritën të hynin në objektin ku fshihej i kërkuari dhe ta vinin atë në pranga.
Pas arrestimit, Meza Flores dhe të ndaluarit e tjerë u transportuan me një avion të Forcave Ajrore Meksikane drejt Mexico City. Një zyrtar federal, duke folur në kushte anonimiteti, deklaroi se procesi i nxjerrjes së tyre nga zona ishte “jashtëzakonisht i vështirë”, pasi grupet kriminale ngritën të paktën 10 postblloqe me automjete të djegura në rrugët e Guasaves.
Kapja e Meza Flores vjen në një moment kur qeveria e presidentes meksikane Claudia Sheinbaum po përballet me presion në rritje nga Shtetet e Bashkuara për të intensifikuar goditjet ndaj karteleve të drogës.
Sekretari i Sigurisë së Meksikës, Omar García Harfuch, bëri të ditur se forcat e armatosura do të vijojnë të qëndrojnë në Sinaloa për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të shmangur shpërthime të tjera dhune.
“Këto arrestime janë një hap i rëndësishëm drejt qetësimit të situatës në Sinaloa”, deklaroi ai. /rtsh/

