
Bisedimet SHBA-Rusi, rajonet kryesore në Ukrainë që Putini dëshiron
Takimi i ardhshëm mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, në Alaskë ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi fatin e territorit ukrainas.
Ndërsa Trump ka lënë të kuptohet për një “shkëmbim territoresh”, Ukraina ka hedhur poshtë kategorikisht çdo lëshim të tokës së saj. Kjo vjen në një kohë kur Rusia ka pushtuar pothuajse një të pestën e territorit ukrainas dhe ka bërë përparime të reja në disa zona.
Donbasi, qëllimi kryesor i Putinit
Një propozim që thuhet se i është paraqitur të dërguarit të SHBA-së në Moskë, sugjeron që Ukraina të heqë dorë nga pjesa e mbetur e rajonit lindor të Donetskut dhe Luhanskut, të njohur së bashku si Donbas, në këmbim të një armëpushimi.
Donetsk dhe Luhansk
Këto dy rajone janë në thelb të interesave të Putinit. Rusia ka pushtuar pjesën më të madhe të Donetskut dhe pothuajse të gjithë Luhanskun. Në javët e fundit, forcat ruse kanë bërë përparime të rëndësishme në verilindje të Dobropilias, duke theksuar dëshirën e Moskës për të kontrolluar të gjithë territorin e Donbasit.
Rajonet e tjera të pushtuara, Khersoni dhe Zaporizhzhia
Përveç Donbasit, Rusia mban kontrollin edhe mbi pjesë të rajoneve të tjera, të cilat i ka aneksuar në mënyrë të njëanshme në kushtetutën e saj.
Khersoni dhe Zaporizhzhia
Rusia kontrollon rreth dy të tretat e këtyre rajoneve. Ndërsa një pjesë e Khersonit u çlirua nga forcat ukrainase në fund të vitit 2022, mbetet e paqartë nëse Putini do të pranonte të linte pjesët e mbetura nën kontrollin e Kievit. Për Ukrainën, dorëzimi i këtyre territoreve do të ishte një dështim i madh, duke detyruar evakuimin e qyteteve të mëdha.
A do të pranojë Putini një “shkëmbim”?
Putini ka treguar pak gatishmëri për të lëshuar pe. Ndërsa Rusia ka pushtuar edhe copëza toke në veri, pranë Sumy dhe Kharkiv, ato konsiderohen “zona tampon” dhe janë të vogla. Ato nuk përbëjnë një “shkëmbim” të barabartë për rajonet e mëdha të Donbasit, Khersonit dhe Zaporizhzhies. Ekspertët besojnë se Putini po luan me kohën dhe po e përdor diplomacinë për të konsoliduar përparimet e tij në terren.
Presidenti Zelensky ka paralajmëruar se çdo territor i dhënë Rusisë do të përdoret si një trampolinë për pushtime të mëtejshme, duke iu referuar aneksimit të Krimesë në vitin 2014, i cili shërbeu si pikënisje për pushtimin e plotë në vitin 2022.
Për momentin, vijat aktuale të frontit janë pika fillestare për çdo negociatë, megjithëse Evropa dhe Uashingtoni e kanë zbutur qëndrimin e tyre, duke lënë të kuptohet se mund të pranojnë idenë e ngrirjes së vijave të frontit si një rezultat i mundshëm.
Për Kievin, rezultati ideal nga takimi i Alaskës do të ishte një njohje e shpejtë nga Trump se nuk ka bazë për marrëveshje, duke i hapur rrugën vendosjes së sanksioneve të ashpra kundër Rusisë. Megjithatë, duke marrë parasysh marrëdhënien e veçantë mes dy presidentëve, rezultati mbetet i paparashikueshëm dhe me rreziqe të larta për Ukrainën.
Programi dhe agjenda
Takimi historik mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, është pranë. Samiti do të zhvillohet në Anchorage, në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson, në Alaskë. Ndërsa Shtetet e Bashkuara e shohin takimin si një mundësi për të ndalur konfliktin në Ukrainë, Rusia ka një agjendë shumë më të gjerë, me qëllim rigjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Orari dhe delegacionet
Samiti do të fillojë në orën 21:30 sipas orës në Shqipëri. Pritet që i gjithë takimi të zgjasë nga tre deri në katër orë.
Delegacioni i Rusisë
Putin do të shoqërohet nga figura kyçe, përfshirë ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e mbrojtjes Andrei Belousov, ministrin e financave Anton Siluanov dhe këshilltarin e Kremlinit Yuri Ushakov.
Delegacioni i SHBA-së
Trump do të jetë i shoqëruar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari Special Steve Witkoff.
Struktura e Samitit
Samiti do të ndjekë një format të strukturuar, i ngjashëm me takimin e mëparshëm të Helsinkit në vitin 2018. Do të hapet me një takim ballë për ballë mes dy liderëve, me praninë vetëm të përkthyesve.
Ky takim do të pasohet nga një drekë pune dhe diskutime me pjesëmarrjen e delegacioneve të plota.
Në fund, pritet të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp, përveç rastit kur dialogu bëhet i vështirë.
Pikat kryesore të agjendës
Agjendat e dy vendeve ndryshojnë ndjeshëm:
Agjenda e SHBA-së: Fokusi kryesor i Trump është arritja e një paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Ky objektiv shihet si një hap drejt fitimit të Çmimit Nobel për Paqe, të cilin ai aspiron.
Agjenda e Rusisë: Kremlini kërkon një “rivendosje” të marrëdhënieve, duke përfshirë bashkëpunimin tregtar, ekonomik dhe veçanërisht, kontrollin e armëve. Putin shpreson të nisë negociatat për një traktat të ri strategjik për kontrollin e armëve, pasi traktati aktual, START i Ri, skadon në shkurt.
Për shkak të divergjencave të thella në agjendë dhe tensionit të lartë, kancelaritë evropiane pritet të monitorojnë me kujdes takimin, i cili do të zhvillohet vonë natën sipas orës së tyre lokale. /RTSH/


