
Bill dhe Hillary Clinton dëshmojnë mbi Jeffrey Epstein
Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi të hënën një video me dëshmi të mbyllura të Bill dhe Hillary Clinton, të zhvilluara javën e kaluar si pjesë e hetimit të panelit për Jeffrey Epstein.
Ish-presidenti Bill Clinton tha ligjvënësve se Presidenti Donald Trump kishte përmendur se kishte kaluar “disa kohë të mrekullueshme” me autorin e dënuar të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein, para se marrëdhënia e tyre të përkeqësohej, sipas videos së publikuar.
Në dëshminë e regjistruar para Komitetit Mbikëqyrës, Clinton tha se Trump e përmendi Epstein gjatë një turneu golfi në vitin 2002 ose 2003, pasi Clinton kishte lënë detyrën presidenciale dhe shumë para se Trump të zgjidhej president. Ai shtoi: “Në një farë mënyre ai e dinte që unë kisha fluturuar me aeroplanin e Jeffrey Epstein.” Clinton gjithashtu tha se Trump e kishte përmendur kohën e kaluar së bashku me Epstein dhe se marrëdhënia e tyre u tensionua për shkak të një marrëveshjeje pasurie. Trump, sipas Clinton, e kishte përkeqësuar marrëdhënien duke punësuar gra të reja në klubin Mar-a-Lago që lidhej me Epstein. Clinton theksoi se kjo nuk nënkuptonte se Trump ishte përfshirë në diçka të papërshtatshme lidhur me Epstein.
Ish-presidenti dhe ish-sekretarja e Shtetit u përballën me rreth 4 orë e gjysmë pyetje nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë në New York. Ndërsa marrëdhënia e Bill Clinton me Epstein ishte më dokumentuar, dëshmia e Hillary Clinton shpesh ishte më tensionuese. Ajo ngriti vazhdimisht zërin ndaj republikanëve të Kongresit, duke i akuzuar për përfitime politike dhe jo kërkim të informacionit të vërtetë.
Hillary Clinton u përplas veçanërisht me disa gra republikanë të Komitetit Mbikëqyrës, duke refuzuar pyetje lidhur me lidhjet e burrit të saj me Epstein dhe teorinë e komplotit “Pizzagate”, dhe u tërbua kur njëra prej tyre ndau një fotografi të saj gjatë dëshmisë, gjë që shkel rregullat e Dhomës së Përfaqësuesve.
Dëshmitë ishin rezultat i javëve të tëra përplasjesh politike dhe ligjore, përfshirë edhe refuzimin fillestar të familjes Clinton për të dëshmuar. Pas kërcënimeve nga republikanët për akuza të mundshme për shpërfillje të Kongresit, familja Clinton pranoi të paraqitej për dëshmi ballë për ballë. /rtk/


