
Ben-Gvir kërcënon Netanyahun: Do të rrëzoj qeverinë nëse Hamasi nuk shpërbëhet plotësisht
Koalicioni qeverisës në Izrael po përballet me kërcënim serioz nga krahu i ekstremit të djathtë pas arritjes së marrëveshjes për fazën e parë të planit të paqes me Hamasin. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, deklaroi sot se nëse organizata Hamas nuk shpërbëhet plotësisht, ai do të punojë për rrëzimin e qeverisë së Kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Në një deklaratë të shkurtër, Ben-Gvir tha se partia e tij, “Fuqia Hebraike” (Otzma Yehudit), do të votojë kundër marrëveshjes së negociuar.
“Nëse qeveria e Hamasit nuk shpërbëhet, ose nëse ata na thonë vetëm se është shpërbërë, ndërsa në realitet ajo vazhdon të ekzistojë nën një maskë tjetër, Fuqia Hebraike do ta shpërbëjë qeverinë,” theksoi Ben-Gvir.
Ky ultimatum vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e koalicionit të Netanyahut, i cili mbështetet tek partitë e ekstremit të djathtë. Pa votat e tyre, marrëveshja e shkëmbimit të pengjeve dhe armëpushimi rrezikojnë të mos kalojnë, duke rrezikuar kështu procesin e sapofilluar të paqes. /rtsh/


