
BE miraton paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, Kallas: Po godasim Putinin aty ku i dhemb më shumë
Bashkimi Europian ka miratuar paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, të cilën shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi si “raundi më i madh në katër vjet”. Masat e reja synojnë sektorin financiar, energjinë dhe industrinë ushtarake ruse.
“Po e godasim Putinin aty ku i dhemb më shumë: duke i prerë linjat financiare mbi të cilat ai mbështetet për të mbështetur luftën e tij.”
Sipas Kallas, paketa përfshin 218 lista të reja sanksionesh dhe prek më shumë se 100 banka e operatorë të kriptomonedhave, mbi 40 anije të flotës ruse në hije, si dhe disa rafineri nafte në Rusi dhe Bjellorusi.
“Kemi rënë dakord për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë. Ajo sjell masa gjithëpërfshirëse që synojnë sistemin financiar të Moskës, kompleksin ushtarako-industrial dhe sektorin e energjisë, që mbajnë në funksion ekonominë e luftës së Rusisë.”
Bashkimi Europian ka vendosur gjithashtu masa ndaj më shumë se 50 subjekteve të lidhura me industrinë ushtarake ruse, përfshirë kompani që prodhojnë dronë me rreze të gjatë veprimi.
“Ky nuk është fundi i rrugës për sanksionet. Ne tashmë po punojmë për hapat e ardhshëm dhe BE-ja duhet të jetë e gatshme t’i përgjigjet çdo përshkallëzimi të mëtejshëm rus.”
Masat e reja vijnë pas sanksioneve të tjera të vendosura ndaj individëve dhe kompanive të akuzuara për abuzime ndaj të burgosurve të luftës ukrainas, civilëve të ndaluar dhe për mbështetje të mekanizmave të represionit të Kremlinit në internet. /rtsh/

