
BE-ja paralajmëron Serbinë: Funerali i Mladiqit, test për rrugën drejt BE-së
Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar Qeverinë e Serbisë lidhur me funeralin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mladiq, ndërsa komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se mënyra se si Beogradi do ta trajtojë funeralin e tij do të jetë një test i rëndësishëm për rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe mund të ndikojë në përpjekjet e saj për anëtarësim.
“Ratko Mladiq u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kthimi i eshtrave të tij në Beograd i kujton Evropës faqet më të errëta të historisë sonë të fundit”, ka shkruar Kos në platformën X.
“Lavdërimi që po e shoqëron vdekjen e tij është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt BE-së”, ka shtuar ajo, duke njoftuar se kishte anuluar vizitën e planifikuar në Serbi.
“Vlerat që qëndrojnë në themel të së ardhmes sonë të përbashkët nuk janë të negociueshme.”
Mladiq vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, në një qendër paraburgimi të OKB-së në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit që lidhen me masakrën e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.
Trupi i tij u kthye në Serbi të enjten me një aeroplan qeveritar, ndërsa arkivoli u bart nga ushtarët dhe ishte i mbështjellë me flamurin serb.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, kishte thënë javën e kaluar se Mladiq do të varrosej me nderime shtetërore, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq më pas deklaroi se familja do të vendosë për organizimin e funeralit dhe se ende nuk janë konfirmuar plane zyrtare, raporton Euro News.
Sipas raportimeve të mediave serbe, një ceremoni përkujtimore mund të mbahet të shtunën, ndërsa funerali mund të zhvillohet të hënën në një periferi të Beogradit.
Duke folur para gazetarëve në Dublin të premten në mëngjes, Kos tha se sjellja e eshtrave të Ratko Mladiqit në Beograd do të jetë “një test shumë i rëndësishëm”.
“Ka shumë gjëra që po ndodhin në Serbi aktualisht (…) dhe gjithçka mund të ndikojë në mënyrën se si shtetet anëtare po e vlerësojnë Serbinë”, tha ajo.
Kos shtoi se mënyra se si do të trajtohet funerali i Mladiqit do të merret parasysh edhe në raport me përafrimin e Beogradit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, një nga kërkesat kryesore për anëtarësim.
“Një funeral shtetëror do të ishte i papranueshëm”, u tha gazetarëve ministri irlandez për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne.
“E kuptoj se në fakt nuk do të ketë funeral shtetëror, por mund të ketë figura të larta të qeverisë që do ta përkujtojnë atë njeri. Kjo nuk është e pranueshme.”
Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prevot, ka shkruar në X se ky është “një hap që e largon Serbinë nga vlerat themelore të BE-së për respektimin e dinjitetit njerëzor, të drejtave të njeriut dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë”.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq paralajmëroi Serbinë se dhënia e nderimeve më të larta kriminelit të dënuar të luftës do të ishte “e barabartë me mbylljen vetë të derës së Bashkimit Evropian”.
Dy zyrtarë të BE-së i thanë Euronews se planet për funeralin kanë shkaktuar shqetësim në Bruksel.
Burime diplomatike i kanë thënë Euronews se një funeral shtetëror për Mladiqin apo çfarëdo përkujtimi nga zyrtarët shtetërorë serbë do të ishte plotësisht i papranueshëm dhe do ta dobësonte mbështetjen e shteteve anëtare për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Kushdo që madje po mendon për hapjen e Klasterit 3 do të mendohet dy herë”, i ka thënë Euronews një diplomat i BE-së.
“Duket shumë pak e mundshme që dikush të dëshirojë ta shtyjë këtë përpara tani.”
BE-ja vlerëson se niveli i përafrimit të Beogradit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian është 60 për qind, niveli më i ulët ndër të gjitha vendet kandidate potenciale. /rtk/

