Dita e 35-të e protestës, qytetarë nga diaspora mbërrijnë në Tiranë për tubimin kombëtar

Dita e 35-të e protestës, qytetarë nga diaspora mbërrijnë në Tiranë për tubimin kombëtar

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë këtë të shtunë në ditën e saj të 35-të. Edhe këtë herë, në tubimin e paralajmëruar në kryeqytet, i janë bashkuar qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vende të ndryshme të botës.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, dhjetëra qytetarë nga diaspora janë mbledhur fillimisht në Shkodër, përpara se të niseshin drejt Tiranës. Ata kanë udhëtuar me automjete të zbukuruara me flamurin kuqezi, duke iu bashkuar më pas protestuesve në tubimin e mbrëmjes.

Pjesëmarrësit deklarojnë se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara në raport me protestat e mëparshme, ndërsa këtë herë kanë përcjellë edhe një mesazh simbolik në ditën e lindjes së kryeministrit.

Tubimi pritet të nisë në Sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët do të mblidhen përpara se të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë protestës janë parashikuar fjalime nga pjesëmarrësit, me fokus kërkesat për largimin e qeverisë dhe ndryshimin e klasës aktuale politike, raporton euronews.al.

Share This