
Bayerni përmbys Dortmundin në kryederbin gjerman
Bayern Munich ka bërë një hap të madh drejt titullit në Bundesliga, pasi mposhti 3-2 Borussia Dortmund në kryederbin gjerman duke u shkëputur me 11 pikë në krye të renditjes.
Protagonist absolut ishte Harry Kane, i cili realizoi dy gola dhe u bë lojtari i parë që nga viti 2001 që shënon të paktën dy herë në katër ndeshje radhazi në Bundesligë.
Anglezit i mjaftoi një goditje e saktë pas asistimit të Joshua Kimmich për të barazuar rezultatin, ndërsa më pas realizoi edhe nga pika e bardhë, duke çuar në 30 golat sezonalë në kampionat dhe 45 në të gjitha garat – rekord personal me fanellën e Bayernit.
Dortmundi kishte kaluar i pari në avantazh me Nico Schlotterbeck pas një goditjeje dënimi të Daniel Svensson, ndërsa vetë Svensson riktheu baraspeshën në 2-2 me një vole spektakolare në pjesën e dytë.
Megjithatë, fjala e fundit i takoi Joshua Kimmich, i cili me një goditje të bukur me të majtën siguroi fitoren për bavarezët.
Me këtë fitore, Bayern ndërpret serinë prej 16 ndeshjesh pa humbje të Dortmundit në kampionat dhe forcon ndjeshëm pozitat në garën për titull.


