
Bayern e nis me fitore, PSG barazon e City nuk gabon
Bayern Munich e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin në Bundesliga, duke mposhtur Stuttgart me rezultat 5-1 në Allianz Arena.
Një dramë e vërtetë është zhvilluar në Francë, ku Paris Saint-Germain ka barazuar 2-2 ndaj Lille, pasi ishte duke humbur 2-0 deri në minutat e fundit.
E, në Premier League, Manchester City ka marrë një fitore të rëndësishme 4-1 në udhëtim ndaj Crystal Palace.
Kampionët e Gjermanisë kanë vazhduar dominimin ndaj Stuttgart, duke regjistruar fitoren e tridhjetë në tridhjetë e katër përballjet e fundit mes dy skuadrave në të gjitha garat.
Bayern e ka gjetur golin e parë pas pak më shumë se njëzet minutash lojë. Joshua Kimmich ka harkuar në zonë, ndërsa Dayot Upamecano është ngritur më lart se mbrojtësit dhe me kokë e e ka dërguar topin në këndin e largët.
Stuttgart ka pasur mundësi për të reaguar, por Bayern ka qenë më i rrezikshëm në kundërsulme. Pas pushimit, mysafirët kanë arritur të barazojnë me Josha Vagnoman, i cili ka shënuar me një goditje të fortë nga jashtë zonës.
Por barazimi ka zgjatur shumë pak. Michael Olise e ka rikthyer epërsinë për Bayern, ndërsa më pas Vagnoman e ka pasur fatin e keq të shënojë autogol, duke devijuar në portën e tij një harkim të Alphonso Davies.
Bavarezët nuk janë ndalur. Aleksandar Pavlovic ka shënuar për 4-1, pas një aksioni të nisur nga Michael Olise dhe Ismael Saibari, ndërsa Luis Diaz e ka vendosur rezultatin përfundimtar 5-1 pas një asistimi të Saibarit.
Në Francë Lille ka kaluar në epërsi në pjesën e parë. Olivier Giroud ka dhënë asistimin, ndërsa Hakon Haraldsson ka realizuar me një goditje të fortë.
PSG ka kërkuar të reagojë pas pushimit, por Lille është mbrojtur mirë dhe ka arritur ta dyfishojë epërsinë. Dilane Bakwa ka shënuar golin e dytë për vendasit me një goditje të saktë me të majtën.
Kur dukej se Lille do ta merrte fitoren, PSG e ka nisur përmbysjen.
Vitinha ka shënuar një gol nga distanca për ta ngushtuar rezultatin. Mesfushori portugez më pas është shndërruar edhe në asistues, duke harkuar në zonë në minutën e nëntëdhjetë e pestë, ku Marquinhos ka realizuar me kokë për 2-2.
Ndërsa në kampionatin anglez Erling Haaland i ka dhënë epërsinë City në minutën e shtatëmbëdhjetë, duke shënuar me kokë pas një harkimi të Antoine Semenyos.
Crystal Palace ka provuar të reagojë, por City ka qenë skuadër më e rrezikshme dhe vazhdimisht e ka kërkuar golin e dytë. Ai ka ardhur në minutën e pesëdhjetë e katërt. Phil Foden ka asistuar për Rayan Cherki, i cili ka kaluar disa kundërshtarë dhe ka realizuar me qetësi për 2-0.
Palace është rikthyer përkohësisht në lojë pas një goditje të lirë të Yeremy Pinos, e cila ka përfunduar në portën e City pas devijimit në shtyllë dhe te portieri Gianluigi Donnarumma.
Por City ka reaguar menjëherë. Cherki e ka shënuar edhe golin e tij të dytë me një goditje nga distanca, duke i dhënë ekipit të tij sërish epërsinë prej dy golash.
Në fund, Haaland ka shënuar edhe një herë pas një asistimi të Fodenit dhe e ka vulosur fitoren 4-1.

