Basha: Nuk kam shkruar asgjë kundër UÇK-së, akuzat janë shpifje

Basha: Nuk kam shkruar asgjë kundër UÇK-së, akuzat janë shpifje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në një konferencë për media në prag të vazhdimit të seancës konstituive, ka thënë se nuk është hera e parë që ai dhe Lëvizja Vetëvendosje sulmohen me, siç ka thënë, të pavërteta.

“Nuk është hera e parë që, si Dimal Basha e si Lëvizje, jemi të sulmuar me të pavërteta nga qarqe të caktuara. Është jashtëzakonisht e lodhshme që në këtë vend shpifjet nuk kanë të ndalur dhe prandaj ndiej përgjegjësinë që të sqaroj për akuzat e ulëta që janë ngritur kundër meje. Në vitin 2012 kohën kur kam qenë student ,sikurse dhe plotë student të tjerë kemi dorëzuar punimet për publikim”, tha Basha.

Ai shtoi se asokohe ka bërë hulumtim për çështjen e depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore por ka pasur në fokus Kosovën.

“Mbaj përgjegjësi vetëm për këtë pjesë dhe nuk kam shkruar asnjë shkronjë, asnjë fjalë e asnjë fjali nga kapitujt tjerë”, tha Basha.

Ai tha se akuzat për lidhjet e tij me raportet e Dick Marti janë të ulëta, derisa shtoi se në një artikull që kishte publikuar më 2010, kishte bërë thirrje diplomacisë për të intervenuar ndaj këtij raporti, ngase, shtoi ai, kjo neglizhencë do të na kushtojë shtrenjtë.

Tutje ai tha se lufta e UÇK-së dhe sakrifica e popullit tonë për liri është e shenjtë.

“Unë, Dimal Basha, si kryetar i Kuvendit, e kam të shenjtë luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Unë i përkulem secilit që ka kontribuar në luftë e në paqe. Dua të deklaroj me përgjegjësi më të madhe qytetare  e kombëtare që kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet as edhe një përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, tha Basha, raporton rtk.

Share This