
Ballkani kalon në raundin e tretë të Ligës së Konferencës, ‘rrëzon’ Florianën
Skuadra nga Suhareka, Ballkani, ka siguruar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke kaluar në raundin e tretë të Ligës së Konferencës së UEFA-s, pas një performance solide ndaj Floriana-s së Maltës.
Pas fitores 4-2 në Prishtinë, Ballkani arriti të ruajë epërsinë në ndeshjen e kthimit në Maltë, e cila përfundoi 1-1, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm në 5-3 në favor të kampionëve të dikurshëm të Kosovës.
Ballkani u ndodh në disavantazh në minutën e 38-të kur Vella realizoi për vendasit. Por reagimi i ekipit kosovar ishte i menjëhershëm dhe efektiv. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Adjetunji barazoi rezultatin dhe i dha qetësi skuadrës kosovare për pjesën e mbetur të lojës.
Në pjesën e dytë, Ballkani tregoi pjekuri taktike dhe qetësi, duke administruar epërsinë dhe duke mos lejuar hapësira për befasinë e kundërshtarit.
Ky është një tjetër moment historik për Ballkanin, që prej disa vitesh po përfaqëson me sukses futbollin kosovar në garat evropiane, duke ndërtuar një identitet të fortë si një nga skuadrat më të qëndrueshme të rajonit.
Ballkani vazhdon të shkruajë historinë dhe të rrisë imazhin e Superligës së Kosovës në Evropë, me ambicie të qarta për të ecur sa më gjatë në Ligën e Konferencës.

