
Bajrami për Kurtin: Pse nuk i bëri këto që i premtoi për gjashtë vjet?
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas prezantimit të rezymesë së punës së Qeverisë nga Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ai po premton sërish gjëra që, sipas saj, nuk i ka realizuar gjatë gati gjashtë vjetëve në pushtet.
Bajrami ka thënë se qytetarët nuk duhet ta gjykojnë më Kurtin për premtimet e tij, por për rezultatet e qeverisjes.
Në një reagim në Facebook, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë një bilanc kritik të qeverisjes së Albin Kurtit.
Duke iu referuar prezantimit të rezymesë së punës së Qeverisë nga Kurti në Kuvendin e Kosovës, Bajrami ka thënë se ai po premton sërish gjëra që, sipas saj, nuk i ka realizuar gjatë gati gjashtë vjetëve në pushtet.
“Pyetja nuk është më: Çka po premtoi Albin Kurti? Pyetja është: Pse nuk i bëri këto që i premtoi për gjashtë vjet?”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, pas gati gjashtë vjetësh në pushtet, qytetarët nuk duhet ta gjykojnë më Kurtin për premtimet, por për rezultatet e qeverisjes.
“Premtoi sikur mandatin e parë po e fillon sot. Sikur nuk ka qenë në pushtet për gati gjashtë vjet. Sikur nuk e ka pasur në dorë Qeverinë, shumicën në Kuvend, mbi 20 miliardë euro buxhet dhe mundësinë për t’i bërë pikërisht ato që sot i premtoi”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka renditur një sërë çështjesh, duke e akuzuar Qeverinë Kurti për mungesë rezultatesh në ekonomi, punësim, arsim, shëndetësi, energji, investime kapitale dhe politikën e jashtme.
Ajo ka thënë se, sipas vlerësimit të saj, qeverisja nuk ka realizuar premtimet për zhvillim ekonomik dhe transformim, ndërsa ka kritikuar rritjen e çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve.
Deputetja e LDK-së ka ngritur kritika edhe për largimin e të rinjve dhe profesionistëve nga Kosova, punësimet partiake, kontratat e negociuara dhe rastet e ministrave me aktakuza.
Në reagimin e saj, Bajrami ka përmendur edhe premtimet për ndërtimin e 160 çerdheve, banesat për çiftet e reja, reformën në arsim, përmirësimin e shëndetësisë dhe realizimin e projekteve kapitale.
Ajo ka kritikuar gjithashtu menaxhimin e sektorit të energjisë, duke përmendur rritjen e çmimit të energjisë dhe importin e saj, si dhe ka ngritur çështjen e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe procesit të integrimit evropian.
Sipas Bajramit, Kosova është përballur me krizë institucionale dhe bllokadë politike, ndërsa ka kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të disa institucioneve dhe menaxhimin e parasë publike.
Në fund, ajo ka përsëritur se Kurti tashmë duhet të gjykohet mbi bazën e rezultateve të qeverisjes së tij.
“Premtoi ndryshimin. E pati pushtetin. E pati shumicën. I pati të gjitha institucionet. I pati miliardat e buxhetit. E pati kohën. Gati gjashtë vjet”, ka shkruar Bajrami.
“Tash del përsëri para qytetarëve dhe premton atë që nuk e bëri kur i kishte të gjitha mundësitë për ta bërë. Pyetja nuk është më: Çka po premton Albin Kurti? Pyetja është: Pse nuk i bëri këto për gjashtë vjet?”, ka përfunduar ajo.

