Bajrami: Niveli qendror shpenzoi mbi 1 miliard euro, vetëm 13% në investime kapitale

Bajrami: Niveli qendror shpenzoi mbi 1 miliard euro, vetëm 13% në investime kapitale

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën se si po menaxhon buxhetin e shtetit, duke theksuar se niveli qendror ka shpenzuar mbi 1 miliard euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, por shumë pak në investime kapitale.

Sipas Serive Kohore të Ministrisë së Financave, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti gjithsej shpenzimet buxhetore kapin shumën prej 1,412 miliardë euro. Prej tyre, vetëm 391 milionë euro janë shpenzime të komunave, ndërsa pjesa tjetër prej 1,021 miliardë euro janë shpenzime të nivelit qendror. Shqetësuese mbetet struktura buxhetore, e cila jo vetëm që nuk planifikohet mirë, por edhe gjatë implementimit përkeqësohet vit pas viti,” ka shkruar Bajrami në Facebook.

Sipas saj, nga 391 milionë euro të shpenzuara nga komunat, 105 milionë euro kanë shkuar për investime kapitale, apo rreth 27% e buxhetit të shpenzuar. Ndërkohë, nga 1,021 miliardë euro të shpenzuara në nivel qendror, vetëm 138 milionë euro janë dedikuar për investime kapitale – që i bie vetëm 13% e totalit.

Bajrami ka thënë se qeverisja Kurti në këto pesë vite nuk ka lënë gjurmë pozitive në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik.
Kurti nuk e ka lënë asnjë shenjë pozitive në këtë vend: asnjë rrugë, asnjë urë, asnjë hekurudhë, asnjë kapacitet energjetik. Trashëgimia e tij qeverisëse është baras me zero. Kurti do të mbahet mend për skandale, por askush nuk do të mund të thotë se një projekt i madh është realizuar gjatë qeverisjes së tij,” ka shtuar ajo.

Duke iu referuar buxhetit të vitit të ardhshëm, Bajrami ka theksuar se për investime kapitale janë planifikuar 931 milionë euro, por realizimi mbetet shumë i ulët.
“Në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë realizuar vetëm 243 milionë euro, prej të cilave 105 milionë euro janë investime të komunave,” ka përfunduar ajo. /Rekordi.net

Share This