
Policia e Kosovës sqaron masat e sigurisë para 16 shtatorit: Janë procedura të rregullta policore
Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve se vendi do të “blindojë” Kosovën në prag të vendimit të Hagës më 16 shtator, duke i cilësuar këto pretendime si të pakonfirmuara.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur priten zhvillime, aktivitete apo grumbullime të mëdha të qytetarëve janë pjesë e procedurave të rregullta policore, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Policisë, këto masa ndërmerren për të garantuar menaxhimin e sigurt të tubimeve, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin e trafikut rrugor, si dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.
Policia ka përmendur si shembull edhe marshin solidarizues paqësor të mbajtur më 12 shtator 2026, duke theksuar se edhe në raste të tilla hartohen plane të veçanta policore në bazë të situatës dhe numrit të pritshëm të pjesëmarrësve.
Në kuadër të vlerësimeve të sigurisë, sipas Policisë, merret parasysh edhe mundësia që individë apo elemente të caktuara, përfshirë persona nga jashtë vendit, të tentojnë të shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të shkaktojnë shqetësim të panevojshëm në opinion.

