
Bajrami kritikon qeverinë Kurti: Subvencionimi i faturave është mashtrim
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për qytetarët, duke e cilësuar këtë si një gënjeshtër të madhe.
Bajrami, përmes një grafiku, ka treguar se çmimi i energjisë elektrike ka pësuar një rritje dramatike gjatë katër viteve të fundit. Ajo thekson se derisa në vitin 2019 një familje mesatare paguante 54 euro në muaj për energji, sot e njëjta familje paguan 169 euro, një rritje prej rreth 300 për qind.
“Dje Albin Kurti përmes Hekuran Muratit na njoftoi se ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike. Çfarë hipokrizie! Derisa në tetor 2019 një familje paguante 54 euro, sot po paguan 169 euro. Por jo vetëm qytetarët, rreth 1300 biznese vendore, pjesa dërmuese prodhuese, nga 75 euro që paguanin tetorin e vitit të kaluar, tash paguajnë 206 euro,” ka shkruar Bajrami.
Ajo gjithashtu ka theksuar se subvencionimi i qeverisë nuk ndihmon qytetarët, por “xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët kanë lidhje të ngushta”.
Bajrami ka publikuar të dhëna të Doganës së Kosovës, sipas të cilave importi i energjisë në Kosovë për periudhën 2015-2020 ka qenë 273 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë pesë viteve të qeverisë Kurti (2021 – shtator 2025) ka arritur në 811 milionë euro.
“Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve me paratë e qytetarëve dhe rinisë që ka ikur në mërgim, që nga atje po financohet konsumi në Kosovë. Kjo është krejt lehtë e faktushme,” ka shkruar Bajrami, duke vlerësuar se pretendimi i qeverisë për subvencionim të faturave është një mashtrim.


