Atentati ndaj Presidentit Trump në Darkën e Korrespondentëve, i dyshuari deklarohet i pafajshëm në Gjykatën Federale

Atentati ndaj Presidentit Trump në Darkën e Korrespondentëve, i dyshuari deklarohet i pafajshëm në Gjykatën Federale

Cole Tomas Allen, 31-vjeçari i akuzuar për sulmin e armatosur gjatë darkës vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, u paraqit këtë të hënë para gjykatës federale, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat e tentativës së vrasjes ndaj Presidentit Donald Trump.

I veshur me uniformën portokalli të burgut dhe i prangosur, Allen nuk foli gjatë seancës. Përmes avokatëve të tij, ai hodhi poshtë akuzat që rëndojnë mbi të, të cilat përfshijnë edhe sulmin ndaj një oficeri të Shërbimit Sekret dhe armëmbajtje pa leje. Nëse shpallet fajtor vetëm për tentativën e vrasjes, ai përballet me dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

Beteja juridike për “konfliktin e interesit”

Pika më e nxehtë e seancës ishte kërkesa e mbrojtjes për të skualifikuar dy zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë: Prokurorin e Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, dhe Prokuroren e SHBA-së, Jeanine Pirro. Sipas avokatëve të Allenit, fakti që të dy zyrtarët ishin të pranishëm në hotelin “Washington Hilton” në momentin e sulmit, i shndërron ata potencialisht në viktima ose dëshmitarë, duke krijuar një konflikt të hapur interesi.

Gjykatësi i distriktit, Trevor McFadden, u kërkoi avokatëve të detajonin kërkesën e tyre, duke e cilësuar përpjekjen për skualifikimin e të gjithë zyrës së prokurorisë si një “kërkesë mjaft të vështirë”. Gjykata u dha prokurorëve afat deri më 22 maj për të specifikuar nëse Blanche dhe Pirro konsiderohen zyrtarisht viktima në këtë çështje.

Dinamika e sulmit të 25 prillit

Ngjarja që tronditi kryeqytetin ndodhi më 25 prill, kur Allen vrapoi përmes një pike kontrolli sigurie dhe hapi zjarr. Një oficer i Shërbimit Sekret u qëllua në gjoks, por shpëtoi falë jelekut antiplumb.

Sipas dosjes hetimore, Allen ishte përgatitur me detaje. Kishte udhëtuar me tren nga Kalifornia dhe ishte regjistruar në hotelin e ngjarjes javë më parë.

Pak minuta para sulmit, ai kishte bërë një foto të vetes i armatosur me pistoletë dhe thika.

Në një mesazh të gjetur nga autoritetet, ai e quante veten një “Vrasës Federal Miqësor” dhe shprehte pakënaqësi ndaj administratës Trump.

Reagimi i Presidentit Trump

Pas sulmit, Presidenti Trump u largua me nxitim nga skena, por u rishfaq dy orë më vonë në Shtëpinë e Bardhë për të komentuar ngjarjen. “Kur ke ndikim, të ndjekin,” deklaroi ai, duke shtuar se hetuesit besojnë që Allen veproi si një “ujk i vetmuar”.

Mbrojtja e Allenit është ankuar gjithashtu për kushtet e burgimit, duke pretenduar se ai është mbajtur nën ndriçim të vazhdueshëm dhe kontroll i rreptë, pas statusit fillestar të mbikëqyrjes për vetëvrasje. Allen pritet të kthehet në gjykatë më 29 qershor për vijimin e procesit. /rtsh/

Share This