
Aston Villa në 8-shën e Europa League, mund Fenerbacën në Stamboll
Aston Villa ka siguruar përfundimisht një vend në tetëshen e parë të UEFA Europa League, duke rezervuar kështu edhe kualifikimin direkt në fazën e 1/16-ës së finales, pas fitores minimale 1-0 në udhëtim ndaj gjigantit turk, Fenerbahçe, shkruan Rekordi.net.
Në një atmosferë të zjarrtë në stadiumin “Sukru Saracoglu”, skuadra e drejtuar nga Unai Emery arriti të ruajë qetësinë dhe të imponojë lojën, pavarësisht presionit të madh nga tribunat. Villa krijoi rastet e para serioze, me Ollie Watkins që u ndal fillimisht nga një ndërhyrje vendimtare e Milan Skriniar, ndërsa më pas një goditje me kokë e tij u pastrua nga vija fatale nga Mert Muldur.
Epërsia për mysafirët erdhi në minutën e 25-të, kur një krosim i devijuar i Matty Cash përfundoi te Jadon Sancho, i cili me kokë shënoi golin e vetëm të ndeshjes dhe të parin për të në këtë edicion të Europa League.
Fenerbahçe, i udhëhequr në sulm nga ish-lojtari i Villa-s, Jhon Duran, pati vështirësi të krijojë raste të pastra, ndërsa vendasit shpëtuan sërish nga pësimi i golit kur Skriniar largoi edhe një herë topin nga vija pas tentimit të Emiliano Buendías.
Në pjesën e dytë, vendasit u përpoqën të rrisnin presionin, duke futur në lojë edhe Anderson Talisca, i cili testoi portierin Marco Bizot me një goditje të rrezikshme. Villa u kundërpërgjigj fuqishëm, me Matty Cash që goditi shtyllën, ndërsa një autogol i İsmail Yüksek pas një krosimi të Sancho u anulua për pozitë jashtë loje pas rishikimit.
Fenerbahçe mendoi se kishte barazuar në minutat e fundit përmes Kerem Aktürkoğlu, por VAR konfirmoi se Durán kishte qenë në pozicion jashtë loje në ndërtimin e aksionit.
Në fund, Aston Villa i përballoi me sukses minutat e fundit të presionit dhe vulosi një fitore të madhe në transfertë, duke siguruar kualifikimin direkt në 1/16-ën e finales.
Për Fenerbahçen, kjo ishte humbja e parë në shtëpi në fazën e ligës këtë sezon, ndërsa tani do të luftojë për një vend në play-offin e fazës eliminatore. /Rekordi.net
Rezultatet tjera:



