
Asllani për ‘Kicker’: Ndaj Turqisë do të bëjmë një ndeshje të madhe
Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, është shumë pranë arritjes më të madhe në karrierë, teksa ndodhet vetëm një ndeshje larg kualifikimit në finalet e një Botërori.
23-vjeçari ishte protagonist në duelin dramatik ndaj Slovakisë, ku realizoi golin e barazimit në 2-2. Në fund, “Dardanët” triumfuan 4-3, duke siguruar kalimin në finalen e “play-off”-it, ku të martën mbrëma do të përballen me Turqinë në sfidën vendimtare për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Paraqitjet e shkëlqyera në Bundesliga e kanë kthyer Asllanin në një nga emrat më të përfolur. I lindur në Berlin nga një familje kosovare, ai po përjeton një rritje të jashtëzakonshme në karrierë, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.
Sipas medieve të huaja, Barcelona është një nga klubet që ka shfaqur interes konkret për shërbimet e tij, duke e konsideruar si një opsion për të ardhmen në repartin ofensiv.
Në një intervistë për “Kicker”, Asllani ka pranuar se rritja e tij ka qenë e shpejtë.
“Habitem me faktin se sa shpejt ndryshojnë gjërat. Kur shikoj se ku isha vetëm 16 muaj më parë dhe ku jam tani. Më parë luaja për Elversberg dhe vlera ime ishte rreth 800 mijë euro, ndërsa tani ka arritur në rreth 30 milionë euro”, deklaroi ai.
Sulmuesi dardan foli edhe për përballjen vendimtare ndaj Turqisë, duke theksuar besimin dhe motivimin e lartë në skuadër.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Fitorja e fundit na ka dhënë shumë vetëbesim dhe ndaj Turqisë synojmë të bëjmë një ndeshje të madhe. Do të kemi mbështetjen e tifozëve dhe synojmë fitoren për të arritur në Botëror. Nuk ka rëndësi kush konsiderohet favorit, pasi edhe Sllovakia dhe Suedia ishin të tilla. Ne do të japim maksimumin dhe në fund vendos fusha”, u shpreh Asllani.


