Zgjedhja e Presidentit, Kurti paralajmëron ftesa për liderët e partive opozitare

Zgjedhja e Presidentit, Kurti paralajmëron ftesa për liderët e partive opozitare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se do të dërgojë ftesa për liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Kurti tha se ende nuk ka zhvilluar konsultime të brendshme mbi takimet e ardhshme, por theksoi rëndësinë e arritjes së një konsensusi të gjerë.

“Pa dyshim, do të ftoj kryetarët e partive opozitare për takime, në mënyrë që të vlerësojmë rrugët për të siguruar të paktën 80 vota. Nuk është e mjaftueshme të kemi vetëm 80 apo 81 deputetë; synimi është të kemi rreth 84-86 deputetë për të siguruar zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se pritshmëritë dhe kërkesat që do të shqyrtohen gjatë këtyre takimeve do të bëhen të qarta vetëm pas zhvillimit të tyre.

Shefi i ekzekutivit theksoi se çështja e zgjedhjes së presidentit është urgjente, por thelbësore është që procesi të përfundojë me sukses.

“Zgjedhja e presidentit është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ne e marrim me seriozitetin më të lartë institucional dhe politik. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi kohë deri më 28 prill, që do të thotë 30 ditë, jo vetëm tri ditë. Synimi ynë është të veprojmë sa më shpejt, por për këtë janë të nevojshme konsultime të brendshme. Pas tyre, do të dërgoj ftesa për takime me kryetarët e partive opozitare. Sa i rëndësishëm është urgjenca e procesit, po aq rëndësi ka që të arrijmë sukses. Në fund të fundit, nuk matemi me përpjekjet, por me rezultatet që arrijmë”, tha Kurti.

Ai shtoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese siguron një periudhë të mjaftueshme kohore, që jo vetëm mundëson veprim të shpejtë, por edhe shmang gabimet gjatë procesit për të arritur rezultatet e dëshiruara. /rtsh/

Share This