
Asllani flet si lojtar i Besiktasit: Kam lindur shqiponjë
Klubi turk, Besiktas tashmë zyrtarisht ka prezantuar transferimin e ri, mesfushorin shqiptar Kristjan Asllanin.
Gjiganti turk përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ka tërhequr menjëherë vëmendje të madhe të tifozëve.
Në videon prezantuese, Asllani shfaqet mjaft i motivuar dhe me mesazhe të forta emocionale për klubin bardhezi.
Mesfushori shqiptar ka theksuar karakterin luftarak dhe përkushtimin maksimal që synon të tregojë me fanellën e Besiktasit.
“Kam lindur shqiponjë, është në gjakun tim. Një shqiponjë nuk tërhiqet kurrë. Do ta tregoj këtë. Kam lindur për të fluturuar. Jam krijuar për të luftuar. Pa frikë. Pa justifikime. Me zemër, me përqendrim maksimal. Kam lindur shqiponjë. Gjithmonë shqiponjë”, ka thënë Asllani.
Postimi është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka marrë mijëra reagime, duke rritur entuziazmin te tifozët e Besiktasit, të cilët presin që Asllani të ketë rol kyç në mesfushë në sezonin e ri.
Ky transferim shihet si një përforcim i rëndësishëm për skuadrën nga Stambolli, e cila synon rikthimin në majat e futbollit turk dhe paraqitje dinjitoze në arenën evropiane.


