
Armëpushimi Izrael-Iran, Netanjahu mund të vizitojë Shtëpinë e Bardhë që javën e ardhshme
Zyrtarët izraelitë kanë bërë të ditur se kryeministri Benjamin Netanjahu pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë në javët e ardhshme.
Sipas zyrtarëve të lartë, të cilët iu referohet edhe media izraelite, theksohet se po zhvillohen diskutime të avancuara me Shtëpinë e Bardhë mbi një vizitë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Ende nuk është finalizuar”, ka theksuar diplomati, i cituar nga mediat izraelite.
Udhëtimi mund të realizohet që javën e ardhshme, referuar zyrtarëve të cilët shtojnë se data ka të ngjarë të finalizohet deri të mërkurën.
“Le të presim që [Ministri i Çështjeve Strategjike Ron] Dermer të kthehet dhe të shohim se çfarë do të parashtrojë”, tha një zyrtar i Zyrës së Kryeministrit.
Dermer fluturoi sot për në Uashington për bisedime mbi Gazën, Iranin dhe zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit.
Vizita që Netanjahu mund të realizojë në Shtëpinë e Bardhë vjen pas bombardimeve amerikane në Iran ndaj centraleve bërthamore dhe vendosjes së armëpushimit mes Teheranit dhe Tel Avivit, ku Donald Trump ka kërkuar që të dy vendet të respektojnë armëpushimin pas luftës 12-ditore. /rtsh/

